
1. ZBATIMI I KUSHTEVE TË PËRGJITHSHME
1.1 Këto kushte të përgjithshme për blerje në rrugë elektronike (“Kushtet e Përgjithshme”) rregullojnë të gjitha marrëdhëniet ndërmjet shoqërisë Globe Shops Sh.p.k., e regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit me numër unik identifikimi (NIPT) L51715010G me seli në adresën: në Njësinë bashkiake nr 7 , Rruga e Kavajes, pallati Globe dhe klientëve që dëshirojnë të kryejnë porosi nëpërmjet faqes së internetit
www.globe.al
1.2 Duke kryer porosi dhe duke bërë blerje në rrugë elektronike nëpërmjet faqes së internetit
www.globe.al ju pranoni pa asnjë rezervë të gjitha Kushtet e Përgjithshme.
1.3 Këto Kushte të Përgjithshme zbatohen për të gjitha shitjet nëpërmjet faqes së internetit të Globe Shops Shpk, qoftë nëse produktet dorëzohen në adresën e përcaktuar nga Klienti, qoftë nëse ato tërhiqen në dyqanet Globe.
1.4 Globe Shops Shpk rezervon të drejtën të ndryshojë dhe përditësojë Kushtet e Pergjithshme në çdo moment. Kushtet e Pergjithshme të ndryshuara/përditësuara do të publikohen në faqen e internetit të Globe Shops Shpk. Këto ndryshime/përditësime nuk do të zbatohen për porosi të kryera para datës së publikimit.
1.5 Për produkte të veçanta, Globe Shops Shpk mund të parashikojë kushte të veçanta, të cilat do të zbatohen përveç këtyre Kushteve të Përgjithshme. Kushtet e veçanta do të përcaktohen dhe publikohen me ofrimin e produkteve përkatës.
1.6 Globe Shops Shpk nuk mban përgjegjësi për viruset kompjuterike që mund të ketë faqja e internetit. Klienti merr përsipër të përdorë pajisjet dhe programet e duhura për t’u mbrojtur nga sulme të jashtme (viruse, site të ndryshme etj.) për të kryer blerje në mënyrë elektronike.
1.7 Globe Shops Shpk mund të vendosë në çdo kohë të pezullojë, ndryshojë apo përfundojë ofrimin e produkteve nё rrugë elektronike për shkak të punimeve të mirëmbajtjes, për të përditësuar ose përmirësuar faqen ose për çfarëdo arsye tjetër.
1.8 Globe Shops Shpk mund të përfundojë ofrimin e blerjeve në rrugë elektronike ose aksesin tuaj në faqen e saj, për shkak të shkeljes së këtyre Kushteve dhe Afateve nga ana juaj, ose për çfarëdo arsye.
2. PRODUKTET
2.1 Klientët informohen në lidhje me karakteristikat kryesore të produkteve në faqen e internetit të Globe Shops Shpk. Çdo informacion në lidhje me përshkrimin e produkteve, karakteristikat e tyre dhe çmimet të vendosura nё faqen e internetit të Globe Shops Shpk është i vёrtetё, i qartё dhe i saktë. Megjithatë, Klientët kanë detyrimin të njihen me mënyrën e përdorimit apo çdo informacion tjetër që shoqëron produktet e dorëzuara ose të vendosur mbi produktin ose mbi ambalazhin e tij, të tilla si udhëzimet e përdorimit.
2.2 Interneti ofron një përvojë të ndryshme blerje nga blerja në dyqan. Klienti duhet të jetë në dijeni për ngjyrat e produkteve, përmasat dhe format e çdo produkti. Fotografitë që ilustrojnë produktet, në mbështetje të tekstit, nuk përfshihen në marrëdhënien kontraktore ndërmjet Globe Shops Shpk dhe Klientit. Globe Shops Shpk nuk mban asnjë përgjegjësi në rast të ndonjë gabimi në ilustrimin e produktit.
2.3 Globe Shops Shpk nuk garanton disponueshmërinë e çdo produkti të publikuar në faqen e internetit. Disponueshmëria e produkteve i korrespondon disponueshmërisë në magazinë në gjendjen e ditës së mëparshme të punës së hipermarketit. Në rast mungese të disponueshmërisë së produktit, Globe Shops Shpk merr përsipër të informojë Klientin sa më shpejt me çdo mjet të përshtatshëm komunikimi.
2.4 Globe Shops Shpk ka të drejtë të ndalojë shitjen në rrugë elektronike të disa ose të gjithave produkteve, përkohësisht ose përgjithmonë me ose pa njoftim.
3. KRYERJA E POROSISË
3.1 Për të kryer blerje në rrugë elektronike, Klienti duhet të jetë mbi moshën 18 vjeç dhe me zotësi të plotë për të vepruar.
3.2 Klienti kryen porosinë nëpërmjet procedurës së përshkruar në faqen e internetit dhe konfirmon përmbledhjen e detajuar të porosisë, për koston e transportit klienti duhet të kontaktojë me kujdesin e klientit.
3.3 Për kryerjen e porosisë, Klienti detyrohet të japë të dhëna të vërteta dhe të sakta, të detyrueshme për identifikimin e tij.
3.4 Gjatë kryerjes së porosisë së parë dhe/ose gjatë regjistrimit të tij në faqen e internetit të Globe Shops Shpk, Klienti duhet të japë emrin, mbiemrin, adresën e tij elektronike, si dhe fjalëkalimin e tij.
3.5 Fjalëkalimi është personal dhe duhet të ruhet sekret nga Klienti.
3.6 Për çdo vizitë në faqen e internetit, Klienti do të ketë akses në të dhënat e tij personale në hapësirën e Klientit, ose në rast se do të kryejë një porosi, Klienti duhet të identifikohet paraprakisht nëpërmjet emrit të përdoruesit dhe fjalëkalimit, duke patur parasysh se fjalëkalimi nuk shërben për kryerjen e pagesave.
3.7 Informacionet e regjistruara nga sistemi i Globe Shops Shpk shërbejnë si provë të komunikimeve, porosive dhe pagesave të kryera ndërmjet Globe Shops Shpk dhe Klientëve. Verifikimi i të dhënave të Klientit dhe dhënia prej tij e numrit të kartës bankare përbëjnë nënshkrim dhe pranim të shprehur të të gjitha transaksioneve të kryera në faqen e internetit të Globe Shops Shpk.
3.8 Globe Shops Shpk nuk mban përgjegjësi për mosfunksionimin e faqes së internetit, që mund të vonojë ose të mos lejojë kryerjen e porosive në rrugë elektronike, për shkak të ngjarjeve përtej kontrollit të arsyeshëm të Globe Shops Shpk, të tilla si ngjarje të forcës madhore.
4. ÇMIMI
4.1 Çmimet e përcaktura në faqen e internetit të Globe Shops Shpk janë çmimet neto me TVSH. Çmimet e përcaktura për produktet nuk përfshijnë kostot e dërgimit që janë në përgjegjësinë e Klientit që zgjedh dorëzimin e produkteve në adresën e përcaktuar prej tij.
4.2 Në rast gabimi në shkrim në lidhje me çmimet e një apo disa produkteve, Globe Shops Shpk do t’ia njoftojë gabimin Klientit dhe do të anullojë porosinë e produktit apo produkteve përkatëse.
4.3 Globe Shops Shpk ka të drejtë të ndryshojë çmimet në çdo kohë.
4.4 Për çdo dërgesë krijohet fatura përkatëse e cila shërben, në rast se aplikohet, si garanci blerje dhe mund të printohet nga Klienti nga faqja e internetit e Globe Shops Shpk.
5. KOSTOT E DËRGIMIT
5.1 Këto dispozita zbatohen vetëm në rast se Klienti zgjedh dërgimin e produkteve të blera në rrugë elektronike në adresën e Klientit.
5.2 Kostot e dërgimit përfshijnë kostot e trajtimit të porosisë dhe kostot e transportit.
5.3 Kostot e transportit të produkteve do të përcaktohen në varësi të peshës totale të porosisë, të përmasave të produkteve dhe të vendodhjes së Klientit.
5.4 Për dorëzimin e produkteve jashtë territorit të Shqipërisë, do të zbatohen kushte të veçanta ose me kosto shtesë, për të cilat Klienti do të informohet nëpërmjet faqes së internetit të Globe Shops Shpk gjatë kryerjes së porosisë ose para dërgimit të porosisë.
5.5 Kostot e dërgimit të produkteve përcaktohen gjatë kryerjes së porosisë në faqen e internetit të Globe Shops Shpk.
5.6 Kostot e trajtimit të porosisë janë fikse dhe përfshijnë kostot e përgatitjes së porosisë, paketimin, ambalazhimin përkatës dhe sigurimin që garanton transportin e rregullt deri në adresën e Klientit.
5.7 Klienti pranon se është plotësisht i informuar në lidhje me pagesën e kostove të dërgesës (trajtimit dhe transportit) të cilat i shtohen çmimit të produkteve të porositura.
6. KONFIRMIMI I POROSISË
6.1 Pas kryerjes së porosisë, Globe Shops Shpk i konfirmon klientit marrjen e porosisë nëpërmjet caktimit të numrit të porosisë. Klienti do të marrë një email, i cili konfirmon blerjen në rrugë elektronike dhe përmban informacionin mbi produktin, sasinë, çmimin dhe numrin e porosisë.
6.2 Porosia e Klientit do të konsiderohet e pranuar vetëm pas konfirmimit të saj nga Globe Shops Shpk. Data e konfirmimit figuron në email-in që i dërgohet Klientit.
6.3 Për porosi të veçanta, Globe Shops Shpk ka të drejtë të kërkojë informacion shtesë nga Klienti. Në këtë rast, Klienti njoftohet nëpërmjet një email-i për dokumentet që duhet të dërgojë për të marrë konfirmimin përfundimtar të porosisë së tij. Globe Shops Shpk ruan të drejtën të anullojë një porosi në rast se Klienti nuk paraqet dokumentet ose informacionin e kërkuar, ose në rast se konsiderohet se këto dokumente nuk janë të përshtatshme.
6.4 Porosia e Klientit mund të anullohet nga Globe Shops Shpk për çdo arsye, veçanërisht në rast mungese të informacionit të detyrueshëm për dërgesën e porosisë. Globe Shops Shpk informon Klientin përkatësisht.
7. KRYERJA E PAGESËS
7.1 Çmimi i produkteve dhe kostot e dërgimit do të paguhen nga Klienti në momentin e kryerjes së porosisë në rrugë elektronike në faqen e internetit
www.globe.al
7.2 Klienti mund të kryejë pagesën cash në momentin e marjes në dorëzim të porosisë
8. KUSHTET E FUNKSIONIMIT TË WEB
8.1 Ofertat janë të vlefshme në të gjithë dyqanet Globe.
8.2 Për arsye të shitjeve të paparashikuara, ndodh që disa produkte të shiten që në ditët e para.
8.3 Produktet në ofertë nuk mund të shiten me shumicë.
8.4 Mund të ketë produkte fotot e të cilëve mund të jenë ilustrative.
8.5 Nuk perjashtohen gabime në përshkrim, karakteristika apo çmim.
8.6 Kompania nuk mban përgjegjësi për gabime të tilla drejtshkrimore.
Ju faleminderit!